Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është pyetur sot gjatë deklaratës për media, në lidhje me burimin e të ardhurave që mundësuan organizimin e fushatës së koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në stadiumin ‘Air Albania’.

 

Gjatë fjalës së tij, Meta theksoi se të gjitha pyetjet që janë ngritur për paratë, mund të bëhen zyrtarisht dhe do t’u kthehet përgjigje nga sektori i financës në Partinë e Lirisë dhe atë të Partisë Demokratike.

 

Ndër të tjera, ai theksoi se me këto detaje merret Rama që sipas tij është i frikësuar nga rezultati i zgjedhjeve të 14 majit.

 

“Këto janë pyetje që me të drejtë i bëni. Për sa i takon atyre mund të bëni pyetjet me shkrim dhe personat përkatës në Partinë e Lirisë dh të PD-së mund t’ju kthejnë përgjigje. Ka të drejtë Rama dhe Ramarucët që janë të tmerruar nga manifestimi kombëtar në Air Albania. Apo dje nga shpërthimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Gramit dhe do të jenë të detyruar që të përpiqen herë pas here që të shmangin thelbin e kësaj gare elektorale të 14 majit që bëhet për të shpëtuar bashkitë tona dhe qytetarët tanë”, tha Meta.