Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur këtë të martë kryesinë e PD, pas disfatës së thellë në zgjedhjet e 14 Majit.

 

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se detyra kryesore e PD-së mbetet mbrojtja e votës duke shtuar se kjo mbrojtje nuk nënkupton një mbrojtje me armë e me dhunë, por përdorimin e të gjitha mjeteve të ligjshme.

 

Më tej, ai theksoi se procesi i zgjedhjeve të 14 Majit solli më shumë se kurrë në historinë e Shqipërisë krim në pushtet.

 

“Thirra këtë mbledhje për të diskutuar mbi qëndrimet aktuale ndaj zhvillimeve postelektorale në vend. Në krye të radhës, unë kam qenë i bindur se detyra më parësore, më kryesore e PD-së është mbrojtja e votës së shqiptarëve dhe misioni i saj themelor. Dhe zotimi solemn dhe i përsëritur i yni, në mënyrë konstante. Duke qartësuar se mbrojtjen e votës, PD nuk e nënkupton një mbrojtje me armë, nuk e nënkupton një mbrojtje me dhunë. PD me mbrojtjen e votës nënkupton, sot dhe përsa kohë të jetë forcë demokratike, përdorimin e të gjitha mjeteve të ligjshme për të nxitur votimin, për të inkurajuar votimin, për të mbikëqyrur çdo lloj dhunimi, cenimi në procesin e votimit dhe për të mbajtur qëndrimet përkatëse në vartësi të tyre.

 

Bazuar në këtë koncept, pas rezultatit tashmë të njohur, kandidatët, kryetarët e degëve, ju që jeni këtu, jeni angazhuar pikërisht në këtë proces. Jeni angazhuar në këtë proces dhe unë e konsideroj themelor sepse ky proces solli më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi, krim në pushtet.  Ky proces u karakterizua nga konsolidimi i një makinerie gjigante të blerjes së votës nga qeveria dhe mafia e saj. Ky është procesi i parë në 32 vite, që nisi me deklaratën e kryeministrit se Kodi Elektoral është një kinezëri për të. Nisur nga ky koncept, të cilin ai e shpalli nga zyra e tij në kryeministri, vetëkuptohet që zgjedhjet do ishin një proces pa asnjë garanci ligjore, zgjedhjet do ishin një proces vullneti i një njeriu, që ligjin, Kushtetutën e zgjedhjeve, e quan një kinezëri”-tha Berisha.