Dy persona janë shpallur në kërkim, pasi në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, kanë dëmtuar me sende të forta automjetin e 39-vjeçarit E.Ç dhe më pas e kanë kërcënuar.
Nga hetimet e policisë janë identifikuar 2 autorët e dyshuar M. Xh., 30 vjeç dhe S. S., 28 vjeç, të dy banues në Pogradec. Dyshohet se për motive të dobëta, ata kanë përplasur qëllimisht me automjetin e tyre të tip “Hummer”, automjetin e 39-vjeçarit nga Pogradeci.
Dyshohet se pas përplasjes, të dy shtetasit kanë dalë nga automjeti, kanë kanosur shtetasin E. Ç., i kanë dëmtuar me sende të forta automjetin dhe janë larguar me shpejtësi, nga vendngjarja. Gjatë largimit, për shkak të shpejtësisë, automjeti tip “Hummer” është përplasur me një automjet tjetër, me pasojë vetëm dëme materiale.
Më pas shtetasit M. Xh. dhe S. S. kanë braktisur automjetin dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen e këtyre shtetasve përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.