Ardian Çapja, përveç avokatëve ka dorëzuar në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar edhe një material me 30 faqe ku kërkon të shpallet i pafajshëm.

 

Çapja ka treguar në Gjykatë se procesi ndaj tij për vrasjen Gentian e Nezir Beqirit në gusht të 2012, është montuar nga Prokuroria e Elbasanit.

 

Sipas tij, prokurori Ritvan Suka që po heton ngjarjen e shkurtit të 2016, ku mbetën të vrarë dy familjar të Çapjas dhe plagosjen e 8 të tjerëve, nuk po e zbardh sepse është përfshirë politika.

 

“Janë tre autorë që është provuar se janë përfshirë në masakrën ndaj familjes time e po ashtu edhe politika. Ata që donin të mbanin pushtetin dhe ato që donin të siguronin vota. Edhe avokati i ndjerë Ravik Gurra ka kërkuar informacion pranë Prokurorisë së Elbasanit dhe ka vënë dispozicion materiale për zbardhjen e kësaj ngjarje, dhe ka dyshime se ai është vrarë për informacioneve që dispononte”, tha ai.

 

Në materialin e dorëzuar në Gjykatë, ai kundërshtonte të gjitha dëshmitë e  bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke pretenduar se është instruktuar nga Prokuroria e Elbasanit me qëllim përfshirjen e tij në këtë ngjarje.