Detaje të reja janë zbardhur nga ekzekutimi i biznesmenit Ardian Nikulaj, që ndodhi ditën e djeshme në lokalin e tij.
Autori që ekzekutoi biznesmenin Nikulaj, sipas policisë dyshohet të jetë një vrasës me pagesë.
Sipas klan news, hetuesit ende nuk kanë rënë në gjurmët e ekzekutorit ndërsa po këqyren dhjetëra orë filmime të kamerave të sigurisë.
Disa prej tyre kanë kapur momentin kur ai vjen në lokalin e 50 vjeçarit dhe largohet pas vrasjes. Kamerat e rrugëve dhe të bizneseve e kanë fiksuar deri pranë “Gjadrit”.
Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona. Janë marrë në pyetje dëshmitarët që ndodheshin brenda në lokal, vjerri, kamarieri por edhe bashkëshortja që ndodhej në kuzhinë. Që të gjithë kanë mohuar se 50 vjeçari të ketë patur konflikte.
Për hetimet u interesua edhe Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku. Në mëngjes herët ai ishte në zyrën e vartësit të tij, Drejtorit të Policisë të Lezhës. Për t’iu shmangur mediave, Rrumbullaku doli nga një derë e pasme e drejtorisë.
Pista ku janë përqëndruar hetimet është ajo e së kaluarës të Ardian Nikulajt. Ai ka qenë i dënuar dy herë, në vitin 2003 me 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje si dhe në vitin 2006 është dënuar me gjobë për falsifikim.
Ardian Nikulaj ishte biznesmen i njohur në fushën e hoteleri turizmit, në Lezhë dhe jo vetëm. Ai ka qenë kandidat për deputet në qarkun e Lezhës në vitin 2021 nga radhët e partisë Social Demokrate ndërsa kandidonte sërish për të qenë anëtar i këshillit bashkiak në zgjedhjet e 14 Majit.