Dorian Matlija, avokat i familjes Durdaj, që humbën fëmijën 7 vjeç, Edison Durdajn në tragjedinë e Gërdecit është shprehur se nuk dihet akoma pse GJKKO nuk pranon t’i bëjë pjesë e procesit gjyqësor së bashku me personat që kanë humbur njerëzit e tyre si dhe ju është dëmtuar prona si pasojë e tragjedisë së Gërdecit.
Pas vendimit për shtyrjen e seancës gjyqësore për gjykimin e dosjes hetimore, avokati i familjes Durdaj ka aluduar se arsyeja e mospjesëmarrjes së të dëmtuarve në këtë proces mund të jetë sepse sipas tij, GJKKO mund të dojë që ky proces të hyjë shumë në detaje.
Dorian Matlija, avokti i familjes Durdaj: Sot gjykata vazhdoi me të njëjtën mënyrë duke mos na lejuar që të ishim pjesë e procesit. Kërkesa vinte nga 6 persona, të dëmtuar të shumëfishtë të tragjedisë. Gjykata nuk e mori në konsideratë që të merrnin pjesë. Një vendim të zbardhur për këtë nuk ka. Nuk ka arsyetim. Ne ende nuk dimë pse nuk jemi pjesë e procesit, ligji e thotë qartë se ne duhet të jemi pjesë. Nuk e dimë pse GJKKO po vepron në këtë mënyrë. Nuk arrij ta kuptoj pse, mund të aludoj se arsyeja është se nuk do që ky proces të hyjë në detaje, pasi kishim ndërmend të përmendim disa detaje. Gjykata ka dashur t’i bjerë shkurt dhe prandaj nuk na do nëpër këmbë. Ne mund të ankohemi për mospjesëmarrje në proces. Kjo është një shkelje më vete, është e disata që ndodh. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim, mendojmë se do të reflektohet në kohë nga GJKKO. Ky proces do të shkojë para vetëm me pjesëmarrjen e dëmtuarve të këtij procesi.