Eksportet e peshkut të freskët dhe të përpunuar u rritën me 8 milionë euro gjatë vitit të kaluar.
Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Roland Kristo tha se, zgjerimi i eksporteve të produkteve të detit është mbështetur nga rritja e investimeve në industrinë përpunuese, prodhimet e të cilave janë mjaft të kërkuara nga tregjet e huaja.
Gjithashtu, tha Kristo, ndikim ka dhënë edhe mbështetja me subvencioni përmes Skemës Kombëtare për rinovimin e anijeve të peshkimit.
“Qeveria ka adresuar për sektorin e peshkimit vitet e fundit një sërë lehtësish fiskale, si heqja e akcizës për karburantin, heqja e taksës së karbonit, zero TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, zero TVSH frigoriferëve, motorëve të anijeve të peshkimit”, tha Kristo.
Ndërkohë, 46 operatorë të peshkimit janë përfitues të thirrjes së tretë të granteve të peshkimit me një shumë investimi mbi 820 mijë euro dhe këtë viti kanë aplikuar 80 subjekte në masën 7: Për rinovimin e anijeve të peshkimit dhe modernizimin e flotës.
Krahasuar me vitin e kaluar, numri i aplikimeve është rritur me rreth 30 subjekte. Ndërkohë, numri më i lartë i aplikimeve ka ardhur nga qarku i Durrësit, ku peshkatarët kanë aplikuar për rinovimin e përgjithshëm të flotës detare, si edhe për zëvendësimin e motorit të anijes.
Mbështetja e dhënë kërkon të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit duke përmirësuar kushtet dhe zvogëluar kostot për peshkatarët.
Në Skemën Kombëtare të këtij viti, masa mbështetëse 7 parashikon subvencionim 50 % të vlerës të blerjes së anijes së peshkimit në vlerë financimi, jo më shumë se 13,500,000 lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20 milionë lekë për subjekt.
Në vendin tonë operojnë mbi 220 anije peshkimi.