Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi theksoi sot se “stadiumi i ri në Durrës do të jetë një kompleks dhe një qendër e re për qytetin”.

 

Në fjalën e saj në finalen e konkursit ndërkombëtar për projektin e stadiumit të ri, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja Kushi tha se “jam shumë optimiste për filozofinë tonë që ky të mos jetë thjesht dhe vetëm një stadium, por të jetë një kompleks, një qendër e re për qytetin ku jeta të zhvillohet 24 orë në 7 ditë të javës, dhe madje jo vetëm jeta sportive, por edhe jetë kulturore, artistike, edukative dhe padyshim edhe tregtare”.

 

Kushi tha se “modeli më i mirë i kësaj filozofie sigurisht që është Stadiumi “Air Albania” në Tiranë, ku të gjithë jemi dëshmitarë se si jeta gëlon çdo ditë, madje është një mundësi e shkëlqyer edhe për evente të mëdha ndërkombëtare, siç ishte finalja e Conference League që e ktheu Tiranën në një qendër të të gjithë Evropës, jo vetëm për zhvillimin ekonomik e turistik, por për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

 

Ministrja Kushi falënderoi të gjitha studiot që shprehën interesin dhe morën pjesë në këtë konkurs ndërkombëtar.

 

“Pres me padurim të shikojmë 3 projektet fituese në këtë fazë mes të cilave do të zgjidhet edhe projekti që do të zbatohet”, tha Kushi.

 

Më tej Kushi solli në vëmendje investimet e kryera në Durrës pas tërmetit të nëntorit 2019.

 

“Në nëntor të vitit 2019 Durrësi u godit nga një fatkeqësi natyrore që shkatërroi shtëpi, shkolla, qendra shëndetësore, dhe fatkeqësisht edhe jetë të humbura. Por qeveria shqiptare, bashkia e Durrësit dhe gjithë Shqipëria gjithë bashkë arritëm që këtë fatkeqësi ta kthejmë në një mundësi të re për Durrësin sepse shtëpitë e reja, shkollat e reja janë më të mëdha, më të bukura, më të forta, më të sigurta që ndoshta nuk do të ishin ndërtuar dot edhe për shumë vite të tjera”, tha Kushi.

 

Por, shtoi ajo, përveç lagjeve të reja, shkollave dhe qendrave shëndetësore, Durrësi ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme edhe për investime madhore, me impakt jo vetëm në ekonominë e këtij qyteti por edhe për ekonominë e të gjithë vendit, madje edhe për rajonin.

 

“Vetëm në fushën e sportit, Durrësi do të ketë dy mundësi të shkëlqyera: e para, Akademia e Futbollit, shkolla për fëmijët e Manchester Group, kampusi i ri i Manchester City Club që do të ketë impakt jo vetëm për Durrësin dhe Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin. E dyta, stadiumi për të cilin jemi mbledhur sot në këtë konkurs ndërkombëtar”, tha Kushi.