Presidenti i Republikës, Bajram Begaj niset të mërkurën për një vizitë shtetërore në Republikën e Kroacisë.

 

Kjo vizitë, me ftesë të Presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviç, kryhet në kuadër të intensifikimit të partneritet strategjik me Republikën e Kroacisë.

 

Presidenti Begaj do të mirëpritet sipas ceremonive të nderit dhe të mirëseardhjes, ditën e enjte, më 27 prill, për të vijuar agjendën zyrtare të bisedimeve me Presidentin e Kroacisë, duke u fokusuar tek marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi rajonal, rrugëtimi evropian i Shqipërisë, si dhe zhvillimet e tjera me ndikim në çështjet e paqes dhe sigurisë.

 

Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, më 27 prill, Presidenti Begaj do të pritet në takime të veçanta nga Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, si dhe Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrakoviç.

 

Gjatë qëndrimit në Kroaci, kreu i shtetit do të zhvillojë edhe një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare.

 

Më 28 prillm nën shoqërinë e mikpritësit, Presidentit të Kroacisë Milanoviç, Presidenti Begaj do të vizitojë e takohet me Arbanasit e Zarës (Zadarit), aktivitetet që shënon vizita shtetërore e Presidentit Begaj dhe e delegacionit që e shoqëron, mbyllet, ditën e premte, më 28 prill.