Shqipëria, është një ndër shtetet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Maltën kanë bojkotuar fjalën e përfaqësueses së Rusisë për të drejtat e fëmijëve, gjatë një takimi informal të mbajtur në Këshillin e Sigurimit.

 

Në një reagim në rrjetet sociale, misioni diplomatik i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, thotë se është larguar pasi ka marrë fjalën Maria Lvova-Belova, të cilës disa ditë më parë, Gjykata Penale e Hagës i bëri publike një urdhër arresti, bashkë me presidentin rus, Vladimir Putin.

 

Belova është Komisionere në Zyrën për të Drejtat e Fëmijëve në Rusi, ndërsa raportohet se takimi që u bojkotua fliste për evakuimin e fëmijëve ukrainas nga Ukraina drejt Rusisë.

 

“Shqipëria mori pjesë në takimin informal të Rusisë mbi “evakuimin” e fëmijëve ukrainas nga Ukraina drejt Rusisë, por u largua nga salla kur Maria Lvova-Belova, e akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, mori fjalën, për të treguar kundërshtimin dhe refuzimin ndaj këtij provokimi cinik.

 

Për Belovën ka një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale që e akuzon për dëbim të paligjshëm të fëmijëve ukrainas. Në vend që t’i japë leksione Këshillit të Sigurimit për situatën e fëmijëve në Ukrainë, ajo duhet të paraqitet në gjykatë për t’iu përgjigjur akuzave shumë të rënda të ngritura ndaj saj”, njoftoi Misioni Diplomatik i Shqipërisë.

 

Kujtojmë se Presidencën në Këshillin e Sigurimit për momentin e ka Rusia.