Ndalohet në Rinas një shtetase e shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Harta”.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijm të kontrolleve për kapjen e shtetasve ne kërkim që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga territori i RSH-së, kanë ndaluar shtetasen A. R., 28 vjeçe, banuese në Tiranë.
Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në zbatim të vendimit të kësaj Gjykate, ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasja A. R. ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit të koduar “Harta”, që goditi 2 grupe që shpërndanin lëndë narkotike kanabis, heroinë dhe kokainë, në lokale nate dhe në afërsi të shkollave, në zona të ndryshme të Tiranës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.