Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, me të cilin diskutoi çështje të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, “në takim u konfirmua mbështetja e Italisë për Shqipërinë lidhur me projektet dhe programet e shumta që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit”.
“Ambasadori Bucci me këtë rast i uroi suksese në detyrën e re Ministrit Balla dhe siguroi që bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë i vazhdueshëm dhe i shtrirë në shumë fusha. Ministri Balla, pas takimit përmes një postimi në rrjetet sociale, konfirmoi nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe posaçërisht sa u përket strukturave ligj-zbatuese”, njofton Ministria e Brendshme.
“Balla shprehu gjithashtu falënderimet si ministër për mbështetjen e Italisë ndaj vendit tonë”, vijon njoftimi.