Drejtori i Kadastrës, Artan Lame bëri të ditur sot se, operacioni për konfiskimin e ndërtimeve pa leje ishte një masë efikase që tregoi se, edhe oligarkët ndëshkohen nëse e thyejnë ligjin.

Gjatë një konference për mediat lidhur me analizën e punës për vititn 2022, Lame tha se, ky operacion ka ulur shkeljet në ndërtime në nivelin afër zeros.

“Sa kohë çdo leje ka një listë gjërash që lejohen dhe nuk lejohen është e drejta e shtetit të ta kujtojë. Ka pasur efekt në uljen në nivelit afër zero të shkeljes në ndërtime. E morën vesh që qenka dhe serioze kjo punë. Jam pro si masë”, tha Lame.

Lame propozoi për uljen e taksës së banesës, e cila aktualisht është 15%.

Lame tha se, nëse kjo taksë do të ulej në 6 ose 8% do bëntë që qytetarët të ishin më të prirur që ta paguanin dhe kështu do të shmangej evazioni fiskal që bëjnë me apartamentet përmes noterëve, duke ulur vlerën e tyre apo duke u përpjekur të fshehin pasuritë. Nëse kjo taksë do të ulej, sipas Lames, s’do të kishte më nevojë për rivlerësim.

Gjithsesi Lame tha se, duhet bërë një analizë e mirë për të përcaktuar sa mund të ulet taksa e pronës dhe më pas është në dorë të qeverisë nëse do e pranojë ose jo.

“Ligjërohet shumë më tepër pronësi sesa sot që mundohen të gjejnë lloj-lloj shtigjesh nëpërmjet noterëve. Kërkon një analizë të thelluar dhe bisedime me qeverinë nëse do e pranonte”, tha Lame.

Lame iu përgjigj edhe deklaratave të kreut të PL-së, Ilir Meta nga protesta e 11 shkurtit, në të cilën tha se, prona e shqiptarëve është e pasigurt.

Lame vuri në dukje se, i është kërkuar Metës në kohën që ishte President ta regjistronte në Kadastër, por se kjo kërkesë e tij ishte refuzuar.

Por Lame siguroi qytetarët se pronat e tyre janë të sigurta dhe se 250 mijë familje kanë marrë certifikatën e pronësisë në vitin 2022.

Sipas Lames, janë 244 mijë legalizime, të kryera gjithsej ndër vite dhe 113 mijë rivlerësime, të kryera gjatë vitit 2022.

Po ashtu, ai theksoi se, janë 1044 pallate të braktisura nga ndërtuesit, të legalizuara gjithsej ndër vite.

“Kazani i objekteve për legalizim të gjetur në vitin 2013, tashmë është zbrazur me kohë e vakt. Ne po zbrazim tani edhe kazanin e mbushur sërisht midis viteve 2014-2020”, tha ai./ATSH