Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj prezantoi sot kandidatin e PD-së për bashkinë Kamëz, Bilbil Bajraktari.
Në fjalën e tij, Alibeaj vlerësoi figurën e kandidatit Bilbil Bajraktari dhe u bëri thirrje demokratëve te votojnë kandidatin dhe Partinë Demokratike.
“Bilbili, ka qenë këtu në Kamëz, është i njohur në Kamëz, i ka shërbyer aq shumë njerëzve, sa kushdo, sa herë që i përmend emrin e Bilbil Bajraktarit, e kupton fare mirë për njeriun që vetëm ka bërë mirë, vetëm u ka shërbyer qytetarëve në kohë të mira dhe në kohë të vështira. Në jetën private, apo edhe atëherë kur ka qenë në pozicionin si anëtarë i Këshillit Bashkiak. Ju keni bërë këtë fushatë dinjitoze, këtë fushatë me entuziazëm, me një situatë të vështirë që ashtu siç keni ecur deri më sot, të ecim deri në fund, deri në 14 maj e të votojmë Bilbil Bajraktarin dhe Partinë Demokratike, këtë binom përfaqësues të këtij komuniteti”, tha ai.
Po ashtu, Alibeaj vuri theksin tek gabimi i Partisë Demokratike për mos marrjen pjesë në zgjedhjet e 2019, duke përjashtuar demokratët nga qeverisja vendore.
“Para 4 vitesh, në 2019-në, për shkak të një gabimi të Partisë Demokratike, demokratëve nuk iu mundësua të votonin në zgjedhjet lokale të atij viti. Pavarësisht arsyeve të katër viteve më parë, koha tregoi që ishte një lëvizje e gabuar. Dhe në fakt koha tregoi që sot në këtë bashki, qëndron një kukull e Edi Ramës, që është Rakip Suli. Janë katër vite të shkuara dëm nga jeta e secilit prej banorëve të Kamzës, për shkak se 4 vite ky pushtet i dhuruar ka nxjerr pikërisht atë lloj monster qeveritari që të gjithë juve fatkeqësisht e keni përjetuar këto 4 vite. Një bashki e cila është vetëm një agjenci tenderash. Merr para nga buxheti i shtetit, nga taksat dhe tatimet e qytetarëve të kësaj bashkie dhe bën rrush e kumbulla Rakip Suli. Merr para nga tatimet dhe taksat që i vjel me kërbaç Edi Rama dhe ia jep Rakip Sulit dhe bëj tendera për miq dhe për shokë. U shndërruar në një bashki ku thjesht vetëm agjenci ku depozitohen militantë”, tha Alibeaj.
Po ashtu. Alibeaj foli për koalicionin e Berishës me Partinë e Ilir Metës, ku sipas tij demokratët po shkojë dhe trokasin në shtëpinë e Metës.
“Kandidatët, të cilët janë strehuar tek Ilir Metaj, nuk janë duke bërë gjë tjetër, por janë duke bërë një mëkat të madh. Duke marrë përsipër një pjesë të demokratëve dhe të shkojnë të trokasin në një shtëpi që nuk është shtëpia e demokratëve. Po të hapësh atë portë atje, i zoti i shtëpisë është Ilir Metaj. Dhe kjo nuk është shtëpia e demokratëve dhe ky është një mëkat i madh që po u bëhet demokratëve të keqkuptuar, të keqinformuar, të manipuluar. U futën në një shtëpi, ku Zot shpie është Ilir Metaj dhe në krah të tij është Sali Berisha”, tha ai.
Po ashtu. Alibeaj vuri theksin tek shpallja ‘non-grata’ prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Sali Berishës, duke izoluar Partinë Demokratike.
“Pas deklarimit si ‘non-grata’ të ish-liderit Sali Berisha, ishte një sfidë e madhe. Edhe unë, si dhe gjithë ne këtu, e kemi pasur këtë sfidë. Çfarë do të bënim ne? Do të qëndronim të grusht të bashkuar rreth liderit historik i dizenjuar non grata prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga ana tjetër ta shëndëronim Partinë Demokratike në një bunker, të izoluar nga perëndimi, se kjo ishte dilema. Ftoj dhe demokratët që kanë shkuar atje, te mos trokasin dhe të mos shkojnë te shtëpia e Ilir Metajt se nuk është shtëpia e tyre dhe të votojnë Bilbil Bajraktarin, përfaqësuesin më të denjë. Përfaqësuesin emblematik, më te ndershëm të PD me të cilët nderohemi jo vetëm ne PD, por nderohet Kamza. Kjo pra është ajo që duhet të bëjmë deri më 14 maj e me Zotin para me miq e me shokë dhe me këto vlera që i kemi konservuar mbi të gjitha në këto 2 vite që kemi kaluar veçse sukses do të jetë për ne për PD, për Bilbil Bajraktarin”, u shpreh Alibeaj.