Policia e Sarandës ka arrestuar një 28-vjeçar i identifikuar si Sofokli Baxherri, pasi dyshohet se ka dijeni për emrat që fshihen pas zhdukjes së 46 vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi.

 

Rreth orës 04.00 të mëngjesit të së enjtes forcat e policisë kanë ndaluar shtetasin S. B., 28 vjeç, banues në Sarandë.

 

Ndaj tij Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

 

“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, të kryera nga grupi i posaçëm i DVP Vlorë dhe i Komisariatit të Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, në lidhje me kallëzimin e familjarëve të shtetasve L. Th. dhe F. S., për humbjen e kontakteve me këta shtetas, që prej datës 06.04.2023, është arrestuar shtetasi: S. B., 28 vjeç, banues në Sarandë.

 

Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

 

Vijojnë hetimet e thelluara, në drejtimin e Prokurorisë, për sigurimin e provave, me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e shtetasve L. Th. dhe F. S.

 

Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, për gjetjen e shtetasve L. Th. dhe F. S”, tha policia.