Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha deklaroi sot në një konferencë me gazetarët se, alternativat e opozitës janë alternativat që kanë pushtuar mendjen, zemrën e shqiptarëve, vatrat e tyre familjare.
“Civiliteti i fushatës së opozitës është shembullor. Projektet, programet e qeveritarëve vendorë të ardhshëm janë një garanci e madhe për ndryshimin e shpejtë të gjendjes dramatike të bashkive tona. Por, janë njëkohësisht rivendosje pluralizmi politik në qeverisjen vendore në Shqipëri. Të gjitha këto kanë një kontrast të madh me krahun tjetër. Siç e shihni, bota pa censurë, që është bota digjitale, zien e tëra për opozitën”, theksoi Berisha.
Po ashtu, Berisha akuzoi kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se, përdor drejtorët për të vjedhur.
“Erion Veliaj është bërë, siç e thashë më sipër në rrjetet sociale, simboli i neverisë së kryeqytetit. Një skandal i madh ka shpërthyer këto ditë. Është gjetur se, drejtorët e tij, Mariglen Qato, Elizabeta Cjapi e të tjerë, janë hajdutë të paskrupullt në tenderë. Kanë fituar në kundërshtim me ligjet me familjarët e tyre, 29 tenderë. Kanë fituar 25 milionë euro tenderë. Këtu kam ndërtesat që ndërton Veliaj me emrat e drejtorëve. Se nuk ka mundësi kurrë që një kryetar bashkie të shkelmojë ligjin e konfliktit të interesit, e shkelmon kur është vetë pronar, kur është vetë ndërtues. Problemi është se ka edhe hotel 15 milionë euro, pastaj kompanitë shkojnë i regjistrojnë në emrin e një punëtori të vjehrrit. Se shteti nuk ekziston.Ky është një superskandal, ndaj Erion Veliaj e ka të qartë se me datë 14 merr valixhet dhe shkon në SKAP”, tha Berisha.
Gjithashtu, Berisha ripërsëriti kërkesën për debat me kryeministrin Edi Rama.
“Ftoj Ramën në debat, do i rreshtoj, jo vetëm vjedhjet e tij, por edhe të familjarëve. Edhe njëherë, dënoj me forcën më të madhe refuzimin e ballafaqimit të kandidatëve nga Edi Rama, si një akt të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve shqiptarë. U bëj thirrje medieve të vendosin në studio dy karrige dhe të ftojnë kandidatët për debat dhe të lënë bosh karrigen e kandidatit që nuk paraqitet. Sikundër përsëris ftesën ndaj Edi Ramës, të vijë në debat, të paraqesë para shqiptarëve gjithçka ai e konsideron se i shërben interesit të pushtetit të tij. Nuk vjen dot. Unë e bëj këtë, por unë jam i bindur se ai nuk mund të vijë në debat. Rëndojnë afera të tmerrshme mbi shpatullat e tij. Dhe unë ia nxjerr dokumentet një nga një përpara shqiptarëve”, u shpreh Berisha.