Nga Suedia në SPAK. Në udhëtimin e radhës për në Shqipëri, Aishe Haklaj, motra e madhe e 5 vëllezërve, 4 prej të cilëve të vrarë, mbërriti në Prokurorinë e Posaçme dhe dëshmoi për 12 orë me radhë në lidhje me një kallëzim të bërë në 2021.
Ajo akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha dhe disa persona të tjerë si të përfshirë në vrasjet e vëllezërve të saj, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj në atentate mafioze në Tropojë vite më parë, raportoi gazetarja Klodiana Lala për BalkanWeb.
Në dalje të prokurorisë, Aishe Haklaj tha se ende ka besim se institucionet e reja të drejtësinë, do të zbardhin të vërtetën për krimet e tmerrshme, ndërsa nuk kurseu as falënderimet për gazetarët.
“Me gjithë respektin e madh për median, sepse ju keni kryer detyrën kryer detyrën tuaj dhe keni qenë pushteti i vetëm te cilit kemi mundur ti drejtohemi deri me tani, por tani , besimi ynë është ende tek SPAK dhe tek gjykata e posaçme. Ende nuk mund të them më shumë, sepse ende sekretet dhe gjithçka duhet të ruhen”, tha Aishe Haklaj. Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet të çelura mbi bazën e kallëzimit të bërë nga familja Haklaj ndaj ish kryeministrit te vendit Sali Berisha.
Në kallëzim janë renditur emrat e 15 personave të tjerë, të cilët thuhen se vepruan si bandë e armatosur dhe zbatonin urdhrat e ish shefit të qeverisë. Hetimet po kryen nga prokurorët e posaçëm Altin Dumani e Elida Kaçkini.