Një shqiptar në Britaninë e Madhe është dënuar me 18 muaj burg pasi u kap duke grabitur një banesë ku kultivohej kanabisi, apo siç përcaktohen ndryshe “shtëpi bari”.

 

Gjatë dënimit të dhënë për të, gjykatësi Simon Batiste pati disa fjalë për të dënuarin shqiptar.

“Mjerisht, Britania e Madhe ka shumë kriminelë tanët, nuk kemi nevojë t’i sjellim nga Shqipëria”- u shpreh Batiste.

 

Fatmir Limani ishte dëbuar më herët nga Britania e Madhe për të njëjtën vepër penale dhe u rikthye sërish në vend për të kryer krimin për të cilin u arrestua.

 

Media britanike “Daily Mail” shkruan se shifrat tregojnë se 75% e shqiptarëve që kanë mbërritur ilegalisht në Britaninë e Madhe, kanë kryer të paktën një vepër penale dhe se 30% e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar kontrollohet nga krerët e bandave shqiptare.

 

Mes të tjerash në artikull, Daily Mail u referohet shqiptarëve si kontingjenti më i madh i të burgosurve të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar me një total prej 1582 të burgosurish.

 

Këtë vit deri më tani, 93 shqiptarë janë burgosur me një kosto për taksapaguesit britanikë prej 17 milionë paundësh për vepra të rënda si vrasja, përdhunimi, rrëmbimi dhe vjedhjet, përfshirë 14 në javën e kaluar.