Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot se Ramaforma po shkatërron aksesin e qytetarëve për drejtësi, po shton zvarritjet, burokracitë dhe kostot.
Duke iu referuar mbylljes së disa gjykatave të Shkallës së Parë në kuadër të hartës së re gjyqësore, Meta deklaroi se nga sot dhjetëra mijërave qytetarëve do t’u hiqet mundësia për të ndjekur çështjet e tyre në gjykata dhe prokurori.
“Nga sot për fat të keq dhe Gjykatat e Shkallës së Parë do të mbyllen në Lushnjë, në qytetin e Kongresit, në Pogradec, në Kavajë, në Kurbin, në Mat, Tropojë, Përmet etj. Ramaforma në drejtësi në kundërshtim të plotë me të gjitha ndryshimet e bëra para 7 vitesh po shkatërron aksesin e qytetarëve për drejtësi, po shton zvarritjet, burokracitë dhe po u rrit kostot që t’i lërë ata pa drejtësi. Kjo hartë e re gjyqësore është një anti-reformë. Nuk merr parasysh largësinë e qytetarëve nga Gjykatat dhe mundësitë e kufizuara të transportit. Më 14 maj qytetarët e Shqipërisë do të votojnë edhe kundër Ramaformës e cila po ua bën drejtësinë edhe më të pamundur, dhe më të paarritshme dhe më të shtrenjtë, në mënyrë që t’i lërë pa drejtësi”, tha Meta.