Kryeministri, njëherësh kreu i PS, Edi Rama tha sot se, betejën për zgjedhjet e 14 majit e ka me arritjet dhe jo me kundërshtarët.

 

I ftuar në emsionin “Wake up”, kreu i Ekzekutivit tha se kjo është fushatë ndryshe dhe nuk e ndjen si betejat e tjera me kundërshtarë, por përcaktuese për të ecur përpara. Sa i përket bashkive më të rrezikuara për PS, Rama tha se Tirana është më e vështira edhe për shkak të numrit të lartë të popullsisë.

 

Rama tha se fushata është komunikuese dhe jo konfrontuese, pasi nuk ka kundërshtarë në sensin e përplasjes.

 

“Në të gjitha fushatat kjo është një fushatë ndryshe, nuk e ndjej si një betejë si të tjerat me kundërshtarë konkretë. E ndjej si përcaktuese për të ecur përpara. Patjetër që si kemi bërë gjërat mirë. Duke e parë nga afër bilancin, kemi bërë gjëra të mira në bashki, qytetet janë të pastra, përjashto Shkodrën. Akoma sot vazhdojnë kazanët mbushen me plehra rrinë me ditë në rrugë. Qytetet sot nuk kanë probleme me ujin e pijshëm, sot mbulojmë më shumë sesa mbulohej përpara 90-tës. Në te gjitha qytetet nuk është refreni “do t’ju sjellim ujë”, pjesa më e madhe e ka”, u shpreh Rama.

 

“Tirana është më e vështira se ka një rritje të madhe të popullsisë. Është shumë e rëndësishme të përmirësojmë bilancin. Nuk është fushatë konfrontuese, kemi preferuar ta mbajmë komunikuese, nuk janë kundërshtarët në sensin e përplasje. Kemi shumë pak bashki që janë në diskutim. Një kandidat është më shumë sesa një person, është një burim energjie që ka të bëjë me mbështetjen që ka, ka të bëjë me forcën që përfaqëson, nëse është i pavarur ka të bëjë me atë shtresë apo grup që mund të jenë bashkuar për ta mbështetur”, tha Rama.