Vijojnë kontrollet, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet bulevardi”, për goditjen e rasteve të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit në Elbasan.
Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë në një lokal, duke vënë baste sportive, me anë të aparatit celular. Procedohet në gjendje të lirë administratori i lokalit, pasi kishte lejuar vënien e tij në dispozicion për lojërat e fatit. Procedohet në gjendje të lirë dhe pronari i një lokali tjetër, për fshehje të ardhurash. Po ashtu sekuestrohen 2 aparate celulare.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet bulevardi”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Si rezultat i kontrolleve është evidentuar një rast i kësaj veprimtarie dhe një rast i fshehjes së të ardhurave.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin P. M., 53 vjeç, banues në Elbasan, pasi në një lokal në lagjen “Luigj Gurakuqi”, Elbasan, u kap nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që po vinte baste sportive me celular. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 26 vjeç, administratori i këtij lokali, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. B., 38 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në kuadër të operacionit, ka rezultuar se fshihte të ardhurat e përfituara nga subjekti (lokali) i tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.