Zbardhet ngjarje e 6 ditëve më parë, ku një i ri tentoi të vriste 2 persona duke i përplasur me automjet si dhe goditi qëllimisht makinën e tyre.
Uniformat blu kanë shpallur në kërkim shtetasi P. D., 22 vjeç, banues në Patos, pasi nga hetimet dyshohet se para disa ditësh në fshatin Sheqishte, ai dhe babai i tij për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me shtetasit E. Sh., 26 vjeç, D. L., 30 vjeç dhe me një 15-vjeçar.
Pas konfliktit, dyshohet se 22-vjeçari ka përplasur qëllimisht me automjetin që drejtonte, shtetasit E. Sh. dhe D. L. dhe automjetin me të cilin udhëtonin këta shtetas.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy shtetasit, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
“Si rezultat i hetimeve të thellura për një rast të përplasjes së disa automjeteve, në datë 01.05.2023, në fshatin Sheqishte, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve të DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, zbardhën dinamikën e këtij rasti, i cili u raportua fillimisht si aksident rrugor.
Në vijim të veprimeve të kryera për këtë ngjarje, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 22 vjeç, banues në Patos, pasi nga hetimet paraprake dyshohet se më datë 01.05.2023, rreth orës 18:30, në fshatin Sheqishte, 22-vjeçari dhe babai i tij, shtetasi A. D., për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me shtetasit E. Sh., 26 vjeç, D. L., 30 vjeç dhe me një 15-vjeçar.
Pas konfliktit, dyshohet se shtetasi P. D. ka përplasur qëllimisht me automjetin që drejtonte, shtetasit E. Sh. dhe D. L. ( të cilët ndodheshin jashtë automjetit në momentin e përplasjes) dhe automjetin me të cilin udhëtonin këta shtetas, si dhe ka përplasur aksidentalisht edhe një automjet tjetër, të parkuar anash rrugës. Më pas dyshohet se shtetasi P. D. ka marrë automjetin e shtetasve të dëmtuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga përplasja janë dëmtuar shtetasit E. Sh. dhe D. L., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Automjeti i shtetasit E. Sh. u gjet nga Policia, i braktisur në fshtin Visokë, Mallakastër” tha policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja”.