Gjykata e Apelit Tiranë ka publikuar vendimin e plotë të arsyetuar të marrë më datë 3 mar 2023 lidhur me  çështjen e vulës dhe logos së Partisë Demokratike, duke pranuar animimin e nënkryetarit të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeajt ndaj vendimit të marrë nga gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë Agron Zhukri.

 

Trupi gjykues i përbërë nga Elona Mihali, Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja, rrëzuan vendimin e marrë nga Zhukri i cili më 25 mars të vitit 2022, pranoi regjistrimin e statutit të Foltores, logos dhe vulës së Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

 

Apeli vendosi që të rikthejë për rishqyrtim këtë çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë me një tjetër trup gjykues.

 

Në vendimin e arsyetuar prej 90 faqesh, Gjykata e Apelit nënvizon se “vendimi që është dhënë dhe që kundërshtohet me ankim, siç është e qartë nuk ka marrë formë të prerë. Kjo do të thotë që asnjë efekt juridik i këtij vendimi nuk ka ardhur. Ndër këto efekte, përfshihen edhe ato që kanë të bëjnë me të drejten e përfaqësimit të subjektit Partia Demokratike. Me fjalë te tjera, e drejta e përfaqësimit të Partisë Demokratike, iu përket organeve drejtuese të saj, dhe se i ashtuquajturi “Komision i Përkohshëm Rithemelimi” nuk ka marrë asnjë tagër përfaqësimi, së paku, derisa kjo çështje të zgjidhet në themel”.

 

Sipas trupi gjykues, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, që pretendon ta ndryshojë këtë situatë, në vetvete nuk ka formë të prerë duke shtuar gjithashtu se gjykata në përputhje me ligjin, duhet të kishte marrë në shqyrtim kërkesën, të kishte konstatuar konfliktin dhe për pasojë të vendoste pushimin e shqyrtimit të kërkesës në çështjen civile.

 

“Duke injoruar detyrimin ligjor sipas nenit 193, gjatë shqyrtimit të kërkesës, nuk ka thirrur si palë të tretë, që ka interes të ligjshëm në çështje, Partinë Demokratike të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Kryetari i saj, ‘si organi përfaqësues në marrëdhënie me të tretët i një partie politike”, thuhet në vendim.

 

Apeli konstaton se vendimi në kundërshtim me ligjin konsideron një tubim të thirrur jashtë rregullave të Statutit si mbledhje të organeve të partisë që sjell efekte ligjore në organizimin dhe funksionimin e partisë.

 

Gjithashtu vëren se vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë, ka anashkaluar provat, duke konsideruar mbledhje të Kuvendit Kombëtar të PDSH, një tubim të organizuar nga persona të caktuar jashtë institucioneve të Partisë

 

Apeli nënvizon në vendimin arsyetues se “qartësisht gjykata ka njohur si provë, një akt absolutisht të pavlefshëm, që është prodhuar nga një autoritet që sipas ligjit nuk e ka në kompetencë. Për pasojë, lista e anëtarëve të Kuvendit që ka marrë si të mirëqënë Gjykata e Shkallës së Parë, nuk përbën listën zyrtare të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PDSH”.

 

Trupi gjykues i kësaj çështje vëren se  “vendimi i gjykatës së shkallës së parë ka anashkaluar rregullat procedurale statusore për miratimin e ndryshimeve në Statut dhe që janë të domosdoshme për të vendosur regjistrimin e tyre në gjykatë”.

 

“Gjykata e Apelit vlerëson se trupa gjykuese është gjendur në papajtueshmëri për të zhvilluar  gjykimin edhe sipas përcaktimeve të Kodit te Procedurës Civile, ndryshe nga sa parashtron në vendimin e tij kryetari i Gjykatës për refuzimin e kërkesës për dorëheqjen nga gjykimit të gjyqtarit, pasi rrethanat e parashtruara dhe vërtetuara me prova prej trupës gjykuese: Cenojnë parimin E paanësisë në aspektin objektiv dhe subjektiv të tij, duke u vlerësuar ky kusht procedural sipas kritereve të elaburuara të jurisprudencës si me sipër cituar (neni 467/b i K.P.C,), rrethanat e parashtruara kanë pasur mundësinë të krijojnë premisa objektive për arsye serioze njëanshmërie edhe sipas 87 kuptimit të nenit 72/6 te KP.C., vlerësuar kjo në unitet edhe me nenin 73 të KP.C. ku trupa gjykuese ka vlerësuar me ndërgjegje domosdoshmërinë e zëvendësimit të saj në gjykimin e çështjes me tjetër trup gjykuese. Cënimi që ka pësuar parimi i paanësisë, si element i procesit të rregullt ligjor, pjesë e cilit është jo vetëm gjykimi që zhvillon gjyqtari, por edhe procedura e shqyrtimit nga kryetari i gjykatës së kërkesës së tij për dorëheqje nga gjykimi ashtu edhe procedura për shqyrtimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit, ka sjellë pasojën juridike procedurale të pavlefshmërisë absolute të vendimit përfundimtar objekt ankimimi, të parashikuar në nenin 467/b te KP.C. Bazuar në nenin 467/b të KP.C. kjo shkelje procedurale ka sjellë prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në atë gjykatë.

 

Ndër të tjera, bë vendim thuhet se “ne vlerësimin e Gjykatës së Apelit, vendimi i Kryetarit të gjykatës për mospranimin e kërkesës së gjyqtarit për heqje dore nga gjykimi i çështjes, është i paarsyetuar dhe i paargumentuar në raport me parashkimet e Kodit të Procedurës Civile”.

 

Gjykata e Apelit thekson gjithashtu se nuk ka një akt në gjykatë për dorëheqjen e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike. Zyrtarisht Basha figuron kryetar i PD-së. Sipas Apelit, gjyqtari Agron Zhukri duket të kishte thirrur në gjykim si Lulzim Bashën, ashtu edhe Komisionin e Përkohshëm në këtë konflikt gjyqësor, për të dëgjuar pretendimet e tyre ose të të autorizuarve prej tyre. Gjithsesi, shkaku kryesor se pse Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Agron Zhukrit është vendimi i kryetarit të Gjykatës së Tiranës, për të mos pranuar heqjen dorë të Zhukrit nga çështja, duke thyer një praktikë që ishte vendosur më parë nga kryetarët e gjykatës.

 

Apeli thekson së rigjykim, Gjykata e Shkallës së Parë të mbajë në konsideratë faktin se ndodhemi para një gjykimi të një lloji të veçantë.

 

“Edhe pse personi juridik që paraqitet para gjykatës është një i vetëm PDSH, rezulton se përfaqësimin e saj e pretendon si kryetari i partisë që rezulton i regjistruar në regjistrin e Partive Politike, ashtu dhe Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, i cili pretendon se njihet si përfaqësues i PDSH-së për shkak të vendimmarrjeve të Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021”.

 

“Gjithashtu në rigjykim duhet të administrojë vërtetimin e përditësuar nga regjistri i partive politike për subjektin PDSH ku të verifikojë sërish të dhënat e përditësuara në lidhje me vijimin e përfaqësimit të PDSH nga kryetari i partisë, personin që rezulton i tillë i shënuar në regjistër si dhe ndryshimet e fundit statutore të regjistruara në të për këtë subjekt politik”, thuhet në vendimin arsyetues të Gjykatës së Apelit.