Drejtuesi Politik i qarkut Elbasan, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri i bëri thirrje sot qytetarëve të qarkut Elbasan, që të votojnë masivisht në zgjedhjet vendore, që zhvillohen sot në të gjithë vendin.

 

Në një video mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Gjiknuri tha se “shpresoj që të gjitha palët ti pranojnë rezultatet e zgjedhjeve”.

 

Duke i bërë apel qytetarëve të Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Përrenjasit, Peqinit, Belshit dhe Cërrikut tha se “sot është 14 maj një ditë e shënuar që kulmon një ditë me shprehjen më të lartë të demokracisë: ushtrimi i votës suaj”.

 

“Unë dua t’u bëj një thirrje të dilni masivisht në votim, të merrni pjesë për të vendosur për fatin e bashkive tuaj. Gjatë kësaj fushate, e cila ka qenë një fushatë shumë e qetë dhe shumë qytetare, kemi pasur mundësi të bashkëbisedojmë me njëri tjetrin, patjetër të gjitha palët kanë shprehur pikëpamjet dhe opinionet e tyre. Ajo çka fitoi në këtë fushatë deri tani ka qenë qetësia, maturia dhe qytetaria. Shpresoj të vazhdoj kështu deri në fund dhe të gjitha strukturat zgjedhore të zbatojnë ligjin deri në fund për të përmbyllur një fushatë të mrekullueshme, që i ka pasur hije këtij qarku dhe mendoj që duhet të kurorëzohet më së miri deri në momentin e fundit ku të dalin rezultatet zgjedhore, dhe ku shpresoj që të gjitha palët t’i pranojnë ato”, nënvizoi Gjiknuri.

 

Gjiknuri u shpreh se “ajo që është e rëndësishme në këto zgjedhje është të vendosni për fatet e familjeve dhe komuniteteve tuaja dhe ku mendoj që çdo shqiptar do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur për të ecur përpara”.