Pas fitores së thellë në kryeqytet, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaron se Tiranën e presin shumë punë të mira. Në një intervistë për Top News, Veliaj deklaroi se qyteti do të ketë një zhvillim të jashtëzakonshëm, veçanërisht në zonën e Bulevardit të Ri.
“Unë besoj që siç në dy mandatet e parë kemi transformuar rrënjësisht këtë qytet, në këtë mandat të tretë ne mund të bëjmë akoma më shumë, sidomos tani që kanë kaluar një pjesë e madhe e krizave, siç ishte pandemia, tërmeti. Një pjesë e burimeve të qytetit shkonte për menaxhim të krizave. Tani jemi pak më të çliruar nga këto realitete. Mund të fokusohemi pak më shumë në zhvillimin qytetit, sidomos në zonën e bulevardit të ri ku do të jetë Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, do ketë disa nga institucionet kyç të vendit. Do jetë Bashkia e re, do të jetë Muzeu i Artit Moderm Qendra e Re e Panaireve dhe Konventave. Besoj që shumë punë na presin”, tha ai.
Veliaj listoi dhe një sërë projektesh të rëndësishme që do të sjellin një përmirësim të jetesës në kryeqytet. “Na pret Kopshti Botanik, na pret terminali perëndimor, që sapo ka filluar punimet. Në terminalin lindor do të fillojë tani transferimi i mjeteve për t u siguruar që në Lundër mbaron gjithë trafiku që vjen me transport interurban nga juglindja. Jemi duke punuar në të 7 lotet e Unazës, një projekt që ne kemi me qeverinë, Bashkia bën ndërhyrjet kapilare, qeveria bën ndërhyrjen kryesore në të 7 lotet, kështu që kemi shumë, shumë shumë punë për të bërë”, nënvizoi Veliaj.