Një 27-vjeçare po procedohet në gjendje të lirë, pasi akuzohet se qëlloi në ajër me armë.

 

Ngjarja u pikas nga policia përmes një videoje të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një shtetase duke qëlluar me armë, në ajër.

 

Menjëherë pas publikimit të kësaj videoje policia ka identifikuar shtetasen A. K. 27 vjeç e cila ka qëlluar me armë imituese të zhurmës së armës së zjarrit, për të cilën ka nisur procedimi në gjendje të lirë e akuzuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

 

Ndërkohë, sipas Klan News raportohet se 27-vjeçarja ka qenë duke festuar fitoren e kandidatit të PS-së Kristian Shkrelit në Vaun e Dejës.

 

“Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një shtetase duke qëlluar me armë, në ajër, ju bëjmë me dije se: Menjëherë pas publikimit të kësaj video-je, specialistët për Hetimin e Krimit të DVP Shkodër kanë kryer verifikimet, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Nga verifikimet, është identifikuar shtetasja A. K. e cila ka qëlluar në ajër, me armë imituese të zhurmës së armës së zjarrit.

 

Për këtë rast u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. K., 27 vjeçe, banuese në Vaun e Dejës, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

 

Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, arma imituese e zhurmës së armës së zjarrit”, tha policia.