Në një dalje për mediat këtë të enjte ish-kryeministri Sali Berisha u pyet nga gazetarët nëse do të ketë negociata dhe bashkim me grupimin tjetër brenda PD, pas disfatës në zgjedhjet e 14 Majit.
Berisha tha se dy persona në PD janë përjashtuar përfundimisht dhe ata janë Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.
Berisha hodhi akuza në drejtim të Alibajt dhe tha se ai sot ka marrë shpërblim nga Rama 220 mijë euro.
“Qëndrimi dhe deklarata ime është kjo, dy persona janë të larguar në mënyrë përfundimtare nga PD. Njëri është Lul Brava, tjetri është Alibasha i cili mori vetëm sot shpërblim nga Edi Rama 220 mijë Euro. PD-ja është e hapur për të gjithë të tjerët, për debat, për negociata, për çfarë të dëshirojnë. Ky është qëndrimi ynë, por dy personat, pengje të Edi Ramës, u përdorën në mënyrë më të pamëshirë nga ai për të goditur opozitën shqiptare. Sa i përket rezultatit ju bëj thirrje t’i lexoni rezultatet me realizëm. Partisë Demokratike iu mohua logoja, Partisë Demokratike iu mohua kryetari i koalicionit. Ata të dy (Basha dhe Alibeaj) janë vetëlarguar nga PD me aktet që kanë bërë”-tha Berisha.