Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm, për raste të vjedhjes së monopatinave të tyre, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stop”.

 

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi E. G., 20 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një të mitur 16-vjeçar.

 

 

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë 2 muajve të fundit, kanë vjedhur 7 monopatina, në zona të ndryshme të Tiranës.

 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 monopatina të dyshuara të vjedhura.

 

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.