Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallarin lidhur me vrasjen e Devi Kasmit, ngjarje e ndodhur më 29 janar të vitit 2018.
“Gjykata, bazuar në nenet 112, 375, 379, 380, 383, 384, 390, 393, 415, si dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale vendosi Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim për interes”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 3 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm”, thuhet në deklaratën e gjykatës.
Hoxhallari është shpallur fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, kultivim e shitje të narkotikëve dhe grup i strukturuar kriminal. Gjykata e Posaçme ka urdhëruar që Hoxhallari ta kryejë dënimin në një Institucion të Sigurisë së Lartë.
Ka qenë SPAK, që i ka kërkuar gjykatës që Hoxhallari të shpallet fajtor për urdhërimin e vrasjes së Devi Kasmit.
Ekzekutimi dyshohet se u porosit pas prishjes së pazareve të drogës në Francë dhe Spanjë mes dy palëve. Hoxhallari nuk i ka pranuar kurrë akuzat. Për të njëjtën çështje është dënuar po me burgim të përjetshëm edhe ish-komandoja i ushtrisë greke Efthymiou Efthymious.
Devi Kasmi u qëllua për vdekje me 4 plumba sapo mbërriti poshtë banesës.