Projektligji për rritjen e pagave është miratuar këtë të premte në Komisionin e Ligjeve.

 

Ministrja e ekonomisë dhe financave, Delina Ibrahimaj tha se do të përfitojnë nga rritja e pagave 130 331 punonjës të administratës.

 

“Ne kemi bërë një analizë të thellë dhe kemi gjykuar që nevojitet një ndërhyrje e thellë në ligjet që parashikojnë reformat për pagën. Sot ne po bëjmë realitet një rritje pagash e cila deri pak vite më parë ishte e pamenduar duke çuar pagën mesatare në nivelin 900 euro në harkun e një viti”- tha Delina Ibrahimaj, ministre e financave dhe ekonomisë.

 

Ndërkaq Pas deputetëve të komisionit të ekonomisë dhe ata të ligjeve kërkuan rritje të pagave të tyre. Kërkesa u bë nga deputeti socialist Klevis Xhoxhi.

 

Lidhur me këtë kërkesë të tij kryetarja e komisionit Klotilda Bushka ka thënë:

 

“Ne do kalojmë në miratimin nen për nen dhe në tërësi me sugjerimin e kolegut Xhoxhi që të rishikohet  raporti i pagës për funksionet e seksioneve A, B, C dhe D të lidhjes 1 në kuadër të parimit të hierarkisë së pagës. Kjo do të jetë pjesë e sugjerimit të komisionit tonë për komisionin e ekonomisë. Ne nuk do bëjmë amendamente sepse do të jetë komisioni përgjegjës që do të bëjë shqyrtimin e këtyre çështjeve”.