Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim në Gjenevë me Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Dr. Hans Kluge.

 

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Manastirliu bëri të ditur se, gjatë takimit bashkëbiseduan për prioritetet për fuqizimin e shërbimit shëndetësor përmes investimeve në sistem, programet e reja që po ndërmarrim në kujdesin parësor për të adresuar çështjet e shëndetit mendor përmes integrimit të shërbimeve socio-shëndetësore, si dhe rritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e profesionistëve të shëndetit.

 

“Ndamë së bashku me Dr. Kluge idenë për krijimin e një platforme komunikimi aktive mes vendeve anëtare për adresimin e sfidës së mobilitetit të profesionistëve”, tha Manastirliu.

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, mori pjesë dje në Gjenevë në Asamblenë e 76-të të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

 

Manastirliu në fjalën e saj foli për përpjekjet e përbashkëta të vendeve të SEEHN për nxitjen e progresit në sistemet shëndetësore dhe përmirësimin e shërbimeve farmaceutike dhe rëndësinë që kanë iniciativat e përbashkëta për arritjen e objektivave, që lidhen me agjendën 2030 për shëndetin dhe mirëqenien e popullatës./ATSH