Qëlloi disa herë me armë zjarri në ajër, në një rrugë të fshatit Lapardha, kapet në Elbasan dhe vihet në pranga 34-vjeçari me precedent kriminal të mëparshëm në fushën e narkotikëve.

 

Procedohet penalisht për moskallëzim të krimit një shtetas tjetër, pasi dyshohet se ka qenë së bashku me 34-vjeçarin, kur ky i fundit ka qëlluar me armë në ajër, nga automjeti.

 

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, menjëherë pas marrjes së informacionit se rreth orës 20:30, në një rrugë të fshatit Lapardha, ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e plotë të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e autorit.

 

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të mbështetura nga inteligjenca informative, si dhe falë koordinimit të punës me Policinë e Elbasanit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesnata”, u kap në Elbasan dhe u vu në pranga shtetasi H. D., 34 vjeç, banues në Elbasan. Nga hetimet paraprake dyshohet se rreth orës 20:30, ky shtetas ka qëlluar disa herë, me armë zjarri në ajër, nga automjeti.

 

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka shoqëruar në automjet shtetasin H. D., dhe nuk ka kallëzuar krimin.

 

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua automjeti me të cilin qarkullonte shtetasi H. D.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.