Policia greke ka dhënë një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin në Janinë të Laert Haxhiut. Haxhiu cilësohet nga mediat greke si një nga banditët më të rrezikshëm shqiptarë. Ai është vënë në pranga bashkë me dy bashkëpunëtorët e tij që edhe ata janë nën hetim për vepra të ndryshme penale.

 

Autoritetet greke thonë se arrestimi i Haxhiut erdhi pas nisjes së një hetimi për një rast të emigracionit të paligjshëm. Policia ishte në ndjekje të një 22-vjeçari i cili dyshohej se ishte pa leje qëndrimi në Greqi.

 

22-vjeçari po udhëtonte në një mjet luksoz BMW me dy persona, në të cilin pasagjer ishte Laert Haxhiu dhe shofer një 35-vjeçar.

 

Siç mësohet, 35-vjeçari dhe 31-vjeçari, Laert Haxhiu,  kanë transportuar 22-vjeçarin, të cilit i mungojnë dokumentet e kërkuara të udhëtimit për hyrjen dhe qëndrimin e ligjshëm në Greqi.

 

Më tej, 31-vjeçari Haxhiu ka treguar një kartë identiteti greke, e cila rezultoi e falsifikuar.

 

Nga hetimet që pasuan me asistencën e Departamentit të Hetimit Kriminal të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Qarkut Epir,  u konstatua se 31-vjeçari ishte në kërkim nga INTERPOL Albania për vrasje të mbetur në tentativë ndaj dy personave dhe armëmbajtje pa leje.

 

Më tej, rezultoi se 22-vjeçari ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare, në shkallë vendi, për veprën penale të ndihmës dhe nxitjes së plagosjes së rëndë me dashje.

 

“Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar: Makina e mësipërme, karta e identitetit e falsifikuar, një shumë parash prej 1400 euro dhe 4 celulare. Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë e Janinës ”, njoftoi policia greke.