Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili u shpreh sot se, vullneti i qytetarëve në 14 maj është deformuar shumë rëndë dhe vota e lirë është cenuar në themelin e saj.
Në një deklaratë për mediet, Vasili u shpreh se, Shqipëria në 14 maj nuk pati zgjedhje, po votime të kriminalizuara.
“Me fakte dhe prova të pakundërshtueshme edhe qytetari më i fundit do të kuptojë dhe do ta ketë shumë të qartë shkatërrimin e votës së lirë që ka ndodhur në 14 maj. Çdo moment i procesit zgjedhor ka qenë i manipuluar, i kompromentuar dhe në dhunim të plotë të Kodit Zgjedhor”, tha ai.
Sipas tij, “elementi kryesor i sigurisë i arritur me marrëveshjen mazhorancë-opozitë të vitit 2020 për identifikimin biometrik që do të pengonte votimin e shumëfishtë dhe atë familjar u rrëzuar përtokë, pasi në qindra qendra votimi pajisjet nuk funksiononin”.
Vasili shtoi se, “votimi i shumëfishtë dhe familjar ndodhi në të gjithë territorin duke deformuar totalisht rezultatin e zgjedhjeve”.
“KQZ dhe SPAK kontribuuan vetëm në shkatërrimin e zgjedhjeve sepse përdorën dy standarde. Një standard për qeverinë që të manipulonte si të donte dhe një për opozitën të cilës i shpiknin ngjarje për ta penguar dhe dëmtuar. Për të gjitha kallëzimet në SPAK të opozitës, nuk ka pasur as veprimin më të vogël përpara zgjedhjeve, duke u nisur nga strategjia e faktit të kryer dhe për të mbështetur verbërisht qeverinë”, tha ai.
Vasili shtoi po ashtu se, “qendrat e numërimit, të cilat në gjysmën e tyre zotëroheshin 100% nga rilindja, u kthyen në qendra manipulimi, duke hedhur në erë zgjedhjet e 14 majit”.
Sipas tij, “Kuçova është shembulli më i qartë i konsumimit të të gjitha llojeve të krimeve zgjedhore, të cilat në mënyrë të spikatur po ua risjell sërish vetëm disa prej tyre”.
“Një tjetër fakt skandaloz është ai i votimit në grup, të cilat janë provuar me foto nga vëzhguesit tanë, apo ai i votimit jashtë qendrës së votimit, ç’ka evidentohet me foto”, tha ai.
Vasili u shpreh se, denoncimi i kësaj masakre është një mision politik pa kthim. “Beteja për rikthimin e votës së lirë, ku çdo qytetar voton i qetë ashtu siç e mendon do të vazhdojë pa ndërprerje deri në rikthimin e institucionit të votës së lirë. Dosjet e shkeljeve pa fund, plot me fakte dhe me prova të pakundërshtueshme do t’u tregohen të gjithë shqiptarëve, por dhe çdo institucioni ndërkombëtar apo dhe miqve të mirë dhe dashamirësve të Shqipërisë kudo në botë”, shtoi ai.