Në Shqipëri vijon stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023”, e cila po zhvillohet në disa vende të Evropës duke treguar përkushtimin e rajonit për mbrojtjen dhe sigurinë.

 

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo stërvitje, që po zhvillohet në Shqipëri.

 

Peleshi tha se, “Forcat tona të Armatosura po marrin pjesë në 3 stërvitje ushtarake që po zhvillohen në Shqipëri, në të cilat janë përfshirë një numër i madh trupash dhe mjetesh luftarake”.

 

Shqipëria po pret për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë, “Defender Europe 23”. Në stërvitjen, që zhvillohet nga 22 maji deri në 9 qershor, marrin pjesë rreth 17 mijë trupa shumëkombëshe, duke e bërë atë më të madhen në historinë e Shqipërisë si aleate e NATO-s.

 

Në Shqipëri do zhvillohen stërvitjet “Immediate Response- 23”, “Saber Guardian- 23” dhe “Astral Knight-23. Në këto stërvitje marrin pjesë 700 efektivë të Forcave të Armatosura.