Komisioni Evropian dhe delegacioni shqiptar i kryesuar nga zëvendësministrja dhe bashkënegociatorja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, zhvilluan në Bruksel, takimin bilateral për Kapitullin 19 “Politikat Sociale dhe të Punësimit”.

 

Në prezantimin e saj, bashkënegociatorja Manjani, shprehu vendosmërinë dhe përkushtimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian, si një objektiv i rëndësishëm strategjik, duke u ndalur specifikisht në politikat e punësimit.

 

Shqipëria vijon me adresimin e rekomandimeve të KE-së për punësimin dhe politikat sociale, veçanërisht duke forcuar cilësinë dhe efektivitetin e institucioneve të tregut të punës dhe ofrimin e shërbimeve të punësimit.

 

Më specifikisht, Acquis në këtë fushë synon rritjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të punës dhe të jetesës, promovimin e dialogut me partnerët social, zhvillimin e burimeve njerëzore në mënyrë që të sigurojë punësim të qëndrueshëm, krijimin e mekanizmave të mbrojtjes sociale me standardet e duhura, luftimin e varfërisë dhe përjashtimit social dhe ofrimin e mundësive të barabarta.

 

Delegacioni shqiptar u përfaqësua nga një numër i konsiderueshëm i strukturave teknike të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe institucioneve të varësisë si Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Instituti i Sigurimeve Shoqërore.