Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se deri në fund të vitit parashikohet ulje e nivelit të borxhit me 0.7 % krahasuar me vitin 2023, duke çuar atë në nivelin 58.2 %.

Gjatë një konference për shtyp, Malaj foli për performancë pozitive të ekonomisë gjatë këtij 7-mujori, ndërsa lajmëroi ndërmarrjen e një reforme në skemën e pensioneve, e cila siç theksoi ai ka nevojë për një skemë vizibile që siguron pensione më të larta për njerëzit.

“Në fokus do të jetë përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave. Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pesione më të larta për njerëzit”, tha ai.

Ai foli dhe për sfidat tij si ministër Financash.

“Përmirësimi i stabilitetit makroekonomik dhe administrimi prudent i buxhetit të shtetit dhe borxhit publik. Në fokus është përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, dhe alokimi i investimeve publike në ato sectorë që kanë kontributin më të madh në ekonomi.
Në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, faktor të rëndësishëm do të luajë dixhitalizimi, përfshirja e inteligjencës artificiale, projekt për të cilin po punohet me Microsoft. Shpenzimet buxhetore do të orientohen e kanalizohen atje ku ka nevoja sociale, pa humbur fokusin në investimet në sektorë prioritare”, deklaroi Malaj./ata