Në parkimin nëntokësor në sheshin e Çerçizit në Gjirokastër ka nisur faza e dytë e projektit.
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi panë nga afër ecurinë e punimeve në këtë parking si dhe vizituan Qafën e Pazarit.
“Riveshja me gurë e hapësirës së madhe këmbësore do t’i japë një frymëmarrje të re të qytetit të Argjiros, ku rrugët gëlojnë nga turistët e jeta ekonomike zhvillohet për të gjithë ata që i bashkëngjiten rrugës së krijimit të shërbimeve cilësore për vizitorët e shumtë”, tha Rama.
Kryebashkiaku Golemi tha se, “fillon faza e dytë ku është përfshirë edhe pjesa e fasadës së bashkisë dhe ka filluar puna edhe tek qendra kulturore që do të jetë një hapësirë rekreative”.
Ministrja Kumbaro u shpreh se, “harqet e parkingut do të vishen me gurë, ndërsa kjo do të jetë pjesë e projekti të rilkualifikimi për fëmijët dhe publikun, pasi jemi mangët me hapësira publike si lulishte”.
Kumbaro theksoi gjithashtu se, “do të ndërtojmë një zyrë informacioni me xhama transparentë për turistët që do të vizitojnë Gjirokastrën dhe një person të bashkisë që do të japë informacionin e nevojshëm”.
Parkimi i madh nëntokësor prej 300 vendesh i jep qytetit një qendër të madhe këmbësore, shmang trafikun nga Pazari i Vjetër, krijon një oaz të ri urban nën Sheshin e Çerçizit, duke lidhur lagjen poshtë me qendrën dhe fuqizon profilin monumental historik të qytetit.
Parkimi nëntokësor në Gjirokastër i jep një cilësi të re zonës historike. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.