Një 60 vjeçar është nën hetim në gjendje të lirë, pasi u kap duke transportuar me furgon 26 bagëti të imëta dhe të trasha kontrabandë.

 

 

Gj. D., u kap në në aksin rrugor Hot – Rapshë, ku bagëtitë dyshohet se janë kontrabandur nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit. 60 vjeçari, banues në fshatin Hot, Malësi e Madhe, akuzohet për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

 

Po ashtu dy persona janë nën hetim në Shkodër për vepra të ndryshme penale.

 

 

U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për M. N., 46 vjeçe, banuese në fshatin Mollkuqe, Fushë Arrëz, pasi ka falsifikuar të dhënat në aplikimin për letërnjoftimin e saj.

 

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për B. Z., 65 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër, pasi ka ndërtuar një objekt për banim, pa lejen përkatëse.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.