Policia e Shtetit njoftoi se finalizoi një tjetër operacion ndërkombëtar, falë bashkëpunimit të suksesshëm më partnerët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, si dhe për parandalimin e veprimtarive kriminale që mund të kryhen nga këta shtetas, në vendin tonë.

 

Operacioni i përbashkët u zhvillua nga Fast Albania, në bashkëpunim me DVP Vlorë, Interpol Tiranën, Zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe Interpol Romën.

Ky operacion u zhvillua në të njëjtën kohë, në Itali, Shqipëri, Zvicër, Slloveni, Francë dhe Belgjikë, si dhe u koordinua nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të Policisë së Shtetit me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, si dhe sigurimit të informacionit dhe shkëmbimit në kohë reale të tij, mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për 2 shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht të cilët fshiheshin në Shqipëri, pasi ishin të akuzuar për vjedhjen me dhunë të disa mjeteve motorike, në shtetin italian, vjedhje këto me dëm ekonomik me vlerë të konsiderueshme, nga shërbimet e Policisë u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Motors”.

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht, autorë të dyshuar për vjedhjen me dhunë të 10 mjeteve motorike në Itali, konkretisht:

-E. A., 51 vjeç, banues në Vlorë dhe F. Sh., 28 vjeç, banues në Vlorë.

Shtetasit E. A. dhe F. Sh. ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Torinos, me vendimin e datës 04.05.2023, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet që këta shtetas përdornin, në fshatin Babicë, u gjetën dhe u sekuestruan 1 mjet ekskavator i dyshuar i vjedhur, 1 mjet kamion, brenda të cilit është gjetur 1 mjet lundrues gomone me gjatësi rreth 13 metra, me 3 motorë (marka “Yamaha”), me fuqi 415 KF, që dyshohet se mund të përdorej për ngjarje kriminale.

Si rezultat i hetimeve të përbashkëta është gjurmuar vjedhja e 12 automjeteve me vlerë të lartë ekonomike dhe e 10 makinave të tjera për bujqësi dhe ndërtim, të cilat rezultojnë të vjedhura në veri të Italisë.

Vlera totale e mjeteve, të gjitha të destinuara për t’u tregtuar në vendet afrikane (Gambia dhe Egjipt) dhe në vendet e gadishullit ballkanik (Slloveni dhe Shqipëri), llogaritet mbi 1 milion euro. Disa nga këto mjete, konkretisht 6 automjete dhe 9 makineri operuese, janë lokalizuar dhe sekuestruar në Itali, Shqipëri, Zvicër, Slloveni, Francë dhe Belgjikë.

Policia njoftoi se suksesi i këtij operacionit është rezultat i sinergjisë perfekte ndërmjet forcave të shumta policore nga Italia, Shqipëria, Zvicra, Sllovenia, Franca dhe Belgjika dhe nga disa vende të tjera, të koordinuara nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion, të cilët i kanë ofruar bashkëpunim të plotë Policisë italiane dhe Policisë së Shtetit, si dhe kanë garantuar shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, drejt Italisë.