Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur këtë të Premte konferencën e tij të përjavshme me gazetarët.

 

Berisha ka folur mbi zgjedhjet e 14 Majit, ku është ndalur konkretisht tek bashkia e Rrogozhinës.

 

Sipas tij në Kolegjin Elektoral u shqyrtua dosja e Rrogozhinës, në të cilën kutia e burgut të Rrogozhinës nuk plotësonte asnjë kusht ligjor të një qendre të votimit.

 

Duke e cilësuar edhe njëherë 14 majin farsë zgjedhore, Berisha thotë se zgjedhjet në burgun e Rrogozhinës janë stisur për të ndryshuar rezultatin.

 

“Çdo ditë që kalon, farsa elektorale nxin edhe më shumë, bëhet më e zezë.

 

Hapjet e dokumenteve dëshmojnë se me 14 maj, shqiptarët përjetuan një farsë të tillë që mund të mbahet mend vetëm në kohërat e diktaturës.

 

Në mënyrë antiligjore po sillen edhe organet e trajtimit të ankesave. Flamurin e lakejve të regjimit e mban si gjithnjë drejtuesi i KAS, por paralel ecin edhe institucionet e tjera.

 

Dje, në Kolegjin Elektoral u shqyrtua dosja e Rrogozhinës, në të cilën kutia e burgut të Rrogozhinës nuk plotësonte asnjë kusht ligjor të një qendre të votimit.

 

Pra, para çdo gjykatësi me minimumin e integritetit profesional, ajo shpallej e pavlefshme. Dhe tani gjykata, në një vendim të kontrolluar, shpalli të gjithë zonën të pavlefshme për një qendër votimi.

 

A ka logjik njerëzore të dënosh 10 mijë, 15 mijë, sa mund të jenë zgjedhësit e Rrogozhinës, për manipulimin? Në vend që gjykata të kërkonte dënimin si kriminel elektoral të Ulsi Manjës, Erion Veliajt dhe drejtorit të burgut të Rrogozhinës, që stisën qendrën e votimit në burg për të ndryshuar rezultatin.

 

Skandaloz është votimi i dokumentuar në Kuçovë.Ju do shihni aty të gjithë mekanizmat e manipulimit të votës brenda qendrës së votimit.Ju do shihni përpjekjet për të fshehur nga KAS këto mekanizma.

 

Kështu janë pjesa dërrmuese e të gjitha bashkive për të cilat janë paraqitur ankesat.

 

Pra, edhe njëherë me 14 maj nuk kishte zgjedhje, por farsë zgjedhore”, tha Berisha.