Një operacion ndërkombëtar i zhvilluar në 6 shtete, në Itali, Shqipëri, Zvicër, Slloveni, Francë dhe Belgjikë ka vënë në pranga 14 persona të akuzuar për vjedhje.

 

 

Mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u arrestuan dy persona të kërkuar ndërkombëtarisht të cilët fshiheshin në Shqipëri, pasi ishin të akuzuar për vjedhjen me dhunë të disa mjeteve motorike në Itali, vjedhje këto me dëm ekonomik me vlerë të konsiderueshme.

 

Operacioni “Motors” vuri në pranga Eduart Alikaj, 51 vjeç  dhe Feta Shametaj 28 vjeç, të dy banues në Vlorë të kërkuar ndërkombëtarisht, autorë të dyshuar për vjedhjen me dhunë të 10 mjeteve motorike në Itali.

 

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet që këta shtetas përdornin, në fshatin Babicë, u gjetën dhe u sekuestruan 1 mjet ekskavator i dyshuar i vjedhur, 1 mjet kamion, brenda të cilit është gjetur 1 mjet lundrues gomone me gjatësi rreth 13 metra, me 3 motorë (marka “Yamaha”), me fuqi 415 KF, që dyshohet se mund të përdorej për ngjarje kriminale.

 

Si rezultat i hetimeve të përbashkëta është gjurmuar vjedhja e 12 automjeteve me vlerë të lartë ekonomike dhe e 10 makinave të tjera për bujqësi dhe ndërtim, të cilat rezultojnë të vjedhura në veri të Italisë.

 

Vlera totale e mjeteve, të gjitha të destinuara për t’u tregtuar në vendet afrikane (Gambia dhe Egjipt) dhe në vendet e gadishullit ballkanik (Slloveni dhe Shqipëri), llogaritet mbi 1 milion euro. Disa nga këto mjete, konkretisht 6 automjete dhe 9 makineri operuese, janë lokalizuar dhe sekuestruar në Itali, Shqipëri, Zvicër, Slloveni, Francë dhe Belgjikë.

 

Në total gjatë këtij operacioni, në Itali dhe në Shqipëri, janë arrestuar 14  persona dhe për 3 të tjerë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.