Studentët e Fakultetit të Mjekësisë do të protestojnë sot në orën 11:00 përpara Rektoratit të UMT-së.
Ata kundërshtojnë diskutimet mes rektorit Gjata, ministrave Kushi dhe Manastirliu, për të lidhur kontratë pune pas përfundimit të studimeve.
Studentët janë kundër punësimit me detyrim aty ku e cakton ministria dhe kërkojnë liri në zgjedhjet e tyre.
Disa ditë më parë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, prof. Arben Gjata Rektor i UMT dhe prof. Xheladin Draçini, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, zhvilluan një takim të parë konsultativ me studentë të Fakultetit të Mjekësisë, me qëllim punësimin dhe kontributin e tyre në atdhe pas përfundimit të studimeve, për një periudhë të caktuar kohore.
Sipas Kushit, që kjo ide të vihet në zbatim duhet të ketë një dakordësi së bashku me studentët.
Rektori i UMT-së tha se çdo vit janë bërë politika për rritjen e numrit të studentëve të Mjekësisë, një ndër to është edhe rritja e kuotave për ta, ku për këtë vit akademik shkojnë në 500 kuota.