Kryeministri, Edi Rama, në një konferencë për mediat, këtë të premte deklaroi se Shqipëria dhe Serbia nuk kanë asnjë marrëdhënie aktualisht, përveç marrëdhënies për lirimin e tre policëve të arrestuar nga Serbia.
“Nuk kemi asnjë marrëdhënie tjetër me Serbinë këto kohë, marrëdhënia e vetme është lirimi i atyre tre policëve. Asnjë lloj përfitimi nuk ka në aspektin cinik, duke mbajtur në burg tre policië të shtetit tjetër me justifikimin që shkelën kufirin”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se kjo situatë ndikon në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, duke theksuar se Serbia duhet të angazhohet në marrëdhëniet me ne.
“Pozicioni ynë me Serbinë ka pasur si qëllim që me sa kemi peshë të ndikojmë që çdo kërcitje armësh të mbahet larg nga Ballkani. Ju siguroj se të njëjtin qëndrim do të mbaja dhe për 3 policë serbë të cilët hipotetikisht do të mbaheshin peng nga forcat e Kosovës.
Kjo ndikon në marrëdhëniet tona, dhe Serbia duhet të angazhohet në marrëdhëniet me ne. Janë 3 njerëz që mbahen peng atje nga një shtet dhe mbulohet kjo me “jo u arrestuan”. Edhe sikur të jenë të vërteta ato që thuhen për forcat e policisë së Kosovës, një shtet demokratik nuk funksionon kështu. Një shtet tjetër respekton të drejtat e njerëzve. Pretendimet që Serbia ka për arrestimet e serbëve në Kosovë, Serbia ka ku t’i adresojë, kjo është rruga demokratike. Ka institucione dhe jo të marrrë peng tre policë”, tha Rama.