Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për të nxitur uljen e përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës.

 

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, sekretari amerikan ka zbardhur çështjet e diskutuara në telefonatat me Kurtin dhe Vuçiç.

 

Në telefonatën e tij me kryeministrin Kurti, sekretari Blinken përsëriti thirrjen që Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë planin trepikësh të BE-së.

Ndërkohë Blinken ka mirëpritur lajmin për lirimin e tre policëve të Kosovës. Në telefonatën e tij me Presidentin Vuçiç, ai i ka bërë thirrje Serbisë për të ulur menjëherë tensionet me Kosovën.

Blinken theksoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për planin trepikësh të BE-së dhe i kërkoi Serbisë që të ndërmarrë menjëherë hapa për të zbatuar angazhimet e saj sipas marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve.