Numri i krerëve të gjedhit ka pësuar rënie të fortë në vitet e fundit, por në disa qarqe fermat blegtorale janë reduktuar me ritme më të larta.

 

Në shkallë kombëtare numri i fermave bujqësore ra me mbi 8% me 2022, ndërsa ne Fier tkurrja ishte 34%. Qarku më numrin më të madhe të krerëve të gjedhit, me rreth 12% të totalit, pësoi edhe tkurrjen më të fortë.

 

INSTAT raportoi se në Fier numëroheshin rreth 39 mijë krerë vitin e kaluar nga mbi 58 mijë krerë që ishin me vitin 2021. Në vitin 2022 ishin 20 mijë krerë me pak.

 

Qarku i dytë më rënien më të madhe të numrit të krerëve ishte Tirana. Në vitin 2022 numëroheshin gjithsej 26 mijë krerë gjedh ose 10 mijë më pak se me 2020 me një rënie vjetore 27%. Pas Tiranës rënia ishte e fortë edhe në Gjirokastër me 9%.

 

Fragmentimi i tokës, kostot e larta të ushqimit, por më kryesorja, braktisja e fshatit po çojnë në rënie të shpejtë numrin e bagëtive në vendin tonë.

 

Fermat e vogla po tkurren më shpejtësi. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë numri i fermave që mbarështojnë më shumë se 5 lopë është reduktuar nga 4,250 (në vitin 2015) në më pak se 2800 në vitin 2020, duke konfirmuar vështirësitë e fermerëve me rritjen e kostove të inputeve dhe ushqimit, koston e lartë të punimit të tokës dhe çmimin e ulët të qumështit.

 

Në zonat rurale të vendit popullsia po plaket me shpejtësi, dhe banorët aktualë janë duke i shitur bagëtitë pasi nuk kujdesen dot për to. Nga ana tjetër vendi po përballet me një kërkesë në rritje për prodhime vendase si në mish dhe bulmet nga zhvillimet pozitive në turizëm.

 

Rënia e krerëve po rrit me shpejtësi edhe çmimet në grupin e produkteve të bulmetit.

 

Shqipëria është vendi më bujqësor i Europës, për shkak të madhësisë së sektorit në ekonomi (rreth 20% e PBB-së me 2021) dhe kontributit në punësim, por nga ana tjetër ka ndër çmimet më të larta të bulmetit në Europë.

 

Në vitin 2022 vendi ynë u rendit ndër vendet europiane me çmimin më të lartë të produkteve të bulmetit dhe të vezëve në një publikim i fundit i Eurostat mbi të dhënat e konsumit për frymë në vendet e BE-së dhe ato kandidate me 2022.

 

Çmimet e bulmetit dhe vezëve ne Shqipëri ishin sa 111.7 për qind e mesatares se vendeve të Bashkimit Europian ose e thëne ndryshe nëse 1 kilogram nga këto produkte në BE kushton mesatarisht 100 lekë në Shqipëri kushtoi 111.7 lekë me 2022.

 

Shqipëria u rendit në mesin e 14 vendeve europiane me çmimin me të lartë të bulmetit vitin e kaluar./ Monitor/