Gazetarët në Kosovë janë sulmuar verbalisht e fizikisht prej kur kanë nisur tensionet në veri të vendit, në muajin maj. Disa persona të dyshuar kanë përfunduar në prangat e Policisë dhe po hetohen për këto sulme ndaj ekipeve të mediave në Kosovë.

 

Një rast i tillë është denoncuar të ketë ndodhur edhe dje, por këtë herë rasti është denoncuar nga një gazetar serb, i cili ka kërkuar ndihmë, pasi ka raportuar se është kërcënuar te Liqeni i Ujmanit.

 

 Viktima ka deklaruar se një person e ka sulmuar derisa po filmonte, e më pas ia ka marrë edhe telefonin, duke e kërcënuar se “nuk ki me ekzistu nga ky moment”.

 

Si rezultat i denoncimit, Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është kapur personi i dyshuar, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar lidhur me veprën për të cilën dyshohet.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Kanosje”.