Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin E. H., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

 

 

Po ashtu specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë arrestuan shtetasin F. Sh., 20 vjeç, banues në Tiranë, dhe proceduan penalisht një shtetas të mitur 15 vjeç. Gjithashtu po punojnë për kapjen e një të mituri 17 vjeç, pasi në rrugën “Konferenca e Pezës”, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të vjedhin një kioskë.

 

Sakaq, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:

 

– P. U., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Prokop Mima”, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, është përplasur me motomjetin e Policisë së Forcës së Posaçme “Shigjeta”. Si pasojë janë dëmtuar dy punonjësit e Policisë që ndodheshin në motomjet, (drejtuesi shtetasi A. Ll., dhe pasagjeri shtetasi E. P.), të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën;

 

– A. P., 45 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Dritan Hoxha”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip “Volvo”.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.