Sipas palës greke, vendimi është një akt i pa precendentë që do të dëmtojë marrëdheniet dypalëshe.
“Vendimi i sotëm i gjykatës së Vlorës është skandaloz. Arrestimi i kandidatit për bashkinë e Himarës dy ditë përpara zgjedhjeve, nuk tregon shtet të së drejtës. Vendimi për burgosjen e kandidatit për kryetar bashkie, sjell përmbysjen e rregullave të barazisë në zgjedhjet lokale në Himarë, e cila është një qendër e rëndësishme e minoritetit etnik grek në Shqipëri.
Një vendim ky që do të ketë impakt negativ në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi kusht për rrugën europiane të Shqipërisë është qëndrimi kostant i shteteve që aderojnë për anëtarësim, në rregullat europiane dhe në shtetin e së drejtës.
Vendime si i sotmi shkelin rregullat e mësipërme dhe tregojnë në realitet Shqipëria nuk po ndjek rrugën europiane”– përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme greke.
Kandidati i koalicionit Meta-Berisha për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është lënë në burg nga gjykata e Vlorës një ditë pasi u arrestua për ‘korrupsion aktiv në zgjedhje’, pra për blerje votash. Dosja i kaloi për gjykim SPAK, ndërsa Beleri është transportuar për në qelitë e paraburgimit në Tiranë.
E pranishme në sallë për të ndjekur nga afër punimet e seancës së sotme ka qenë edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.