Asambleja Kombëtare e Francës (Parlamenti) mbajti një minutë heshtje për viktimat e tërmeteve vdekjeprurëse në Türkiye dhe Siri të martën, njoftoi ambasada franceze në Türkiye përmes një postimi në Twitter.

Kryetarja e Asamblesë Kombëtare, Yael Braun-Pivet e përshkroi tërmetin si një "tragjedi të tmerrshme".

 

"Franca me partnerët e saj, u mobilizuan për të ofruar mbështetje urgjente për popullatën e prekur. Ekipet franceze të shpëtimit janë dërguar në zonë për të marrë pjesë në operacionet e shpëtimit dhe ndihmës", tha ajo.

 

Yael Braun-Pivet më pas ftoi deputetët të mbajnë një minutë heshtje në mënyrë që të "përkujtojnë viktimat dhe të shprehin mbështetjen për të dashurit e tyre".

 

Të paktën 8.574 persona humbën jetën dhe 49.133 të tjerë u plagosën në Türkiye pas dy tërmeteve të fuqishme të hënën që goditën pjesën jugore të vendit, sipas Agjencisë turke të menaxhimit të fatkeqësive.

 

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, goditën 10 provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz.

 

Lëkundjet u ndjenë edhe në Sirinë fqinje, duke shkaktuar mijëra të vdekur dhe të plagosur si dhe dëme të mëdha.

 

Si pasojë e tërmetit në Sirinë fqinje, jetën e kanë humbur të paktën 2.530 persona ndërsa 4.645 të tjerë janë plagosur./AA